Rasti i Dhunimit: 13-vjeçarja Denoncon 21-vjeçarin në Fushë Kosovë

Një rast i denoncuar në Polici të hënen për një të zhdukur dhe një tjetër dy ditë më vonë për dhunim ka pasur të përbashkët viktimën.

Një vajzë 13-vjeçare, e cila së fundmi është zhvendosur për banim në Fushë Kosovë, fillimisht ishte raportuar si e zhdukur nga gjyshi i saj.

Por, dy ditë më vonë, ajo u paraqit në stacionin policor duke denoncuar një 21-vjeçar për veprën penale të dhunimit.

RTVDukagjini ka mësuar se i dyshuari është personi me të cilin e mitura kishte qenë duke bashkëjetuar, dhe për këtë rast në Polici u ftuan edhe Qendra për Punë Sociale. “Në bashkëpunim me ta, e mitura është vendosur në strehimore dhe është nën përkujdesje nga menaxheri i rastit.

Tani presim hapat në vijim se çfarë preferojnë nga prokuroria dhe hetuesia”, ka thënë Abaz Xhigoli, drejtor i Qendrës për Punë Sociale.

Ai gjithashtu tregoi se e mitura kishte marrë trajtime të mëparshme në Qendër, përfshirë këshillime psikologjike me referim nga prindërit e saj.

Ndërkohë, Prokuroria ka njoftuar se pas arrestimit të të dyshuarit, hetimet vazhdojnë. “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Dhunimi’ nga neni 227 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka theksuar Kaltrina Shala, Zëdhënëse e Prokurorisë Themelore.

Pas dërgimit në strehimore, viktima gjithashtu është nënshtruar ekzaminimeve të tjera, përfshirë ato nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *