Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka shprehur reagimin e tij ndaj një fushate të organizuar në rrjetet sociale, e cila, sipas tij, ka eskaluar deri në kërcënime të hapura për jetën e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.
Xhemaili njoftoi se dhjetëra profile të rreme po shpërndajnë sistematikisht shpifje dhe informacione të pavërteta, të cilat Aleanca i ka demantuar zyrtarisht që në fillim.
Ai veçoi një profil me emrin fiktiv “Besmir Kelmendi”, i cili përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe e quan veten “Avni Rrustemi 2.0”.
Sipas Xhemailit, ky profil, gjatë dy ditëve të fundit, ka zhvilluar një fushatë propaganduese me thirrje publike për vrasjen e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt. “Ky profil po tenton të ndërlidhë qëllimisht emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me qëllim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse”, ka deklaruar Xhemaili.
Ai po ashtu bëri të ditur se kanë dorëzuar pranë Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë të gjitha të dhënat dhe provat për këtë profil dhe llogaritë e tjera të ndërlidhura. “Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Aleancës kritikoi edhe deklaratat e deputetëve të partisë në pushtet, të cilat, sipas tij, po i japin mbështetje kësaj fushate të linçimit dhe kërcënimit online.
Ai e cilësoi këtë si një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dështimi i institucioneve për parandalimin e rastit tragjik në Pejë.