Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar këtë si një fyerje të rëndë për shtetin e Kosovës.
Në një reagim publik, Gjini ka kërkuar nga Brukseli sqarime lidhur me lejimin e interpretimit të kësaj kënge në një aktivitet të organizuar nga Komisioni Evropian, nën drejtimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos. “Të lejosh këngën nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së, nën organizimin e Komisionit Evropian dhe Marta Kos, është fyerje e rëndë ndaj shtetit tonë.
Brukseli duhet të japë sqarim për këtë lëshim”, ka theksuar Gjini.
Ai gjithashtu e ka vlerësuar incidentin si një dëshmi të mungesës së seriozitetit të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e lidhur këtë me qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë. “BE sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, dhe kjo nuk ndodh rastësisht.
Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët”, ka deklaruar ai.
Gjini ka kritikuar diplomacinë e Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se raportet e dëmtuara me aleatët dhe përjashtimi i Kosovës nga takimet e rëndësishme ndërkombëtare kanë krijuar hapësirë për situata të tilla.
Sipas tij, diplomacia e Kosovës duhet të ndërmarrë veprime urgjente në rrugë zyrtare për të kërkuar përgjegjësi lidhur me incidentin në Bruksel.