Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, ka shprehur një reagim të fortë ndaj deklaratës së liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, i cili e ka quajtur popullatën shqiptare “një grup i vogël qytetarësh”.
Dauti e ka rikujtuar Dimitrievskin për rëndësinë demografike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar për minimizimin e tyre nëpërmjet retorikës politike.
Reagimi i Dautit vjen në kontekstin e përplasjeve politike lidhur me statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, një çështje e cila vazhdon të shkaktojë debate të ashpra midis përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe drejtuesve të ZNAM-it.
Statusi i plotë i deputetes Ilire Dauti është si më poshtë: Maksim Dimitrievski paska thënë për shqiptarët: “Një grup i vogël qytetarësh”.
Tregoni Dimitrievskit se ai po flet për grupin që përbën 54.4% të numrit të maqedonasve.
Pra, më shumë se gjysma e tyre.
Demografia thotë kështu z.
Dimitrievski: Formula: (29.5% shqiptarë ÷ 54.2% maqedonas) × 100 = 54.4%.
Sidoqoftë, ky “grupi” që përbën mbi 54% të numrit tuaj, vështirë se mund të quhet i vogël – përveç në matematikën tuaj politike që duket se nuk po ju ecën.
Në Qeveri, ndonëse rri, ndonëse mos, veç kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.