Real Madridi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të presidentit të La Ligës, Javier Tebas, për shkak të disa deklaratave kontroverse, të cilat klubi madrilen i ka quajtur të papranueshme.
Në një komunikatë zyrtare, gjiganti spanjoll ka reaguar ashpër ndaj krahasimit që Tebas bëri mes veprimeve të drejtuesve të Real Madridit dhe metodave të Joseph Goebbelsit, ministër i Propagandës në regjimin nazist.
Sipas klubit, presidenti i La Ligës kishte përfshirë edhe televizionin zyrtar të Real Madridit në këtë krahasim.
Në reagimin e tij, Real Madridi ka kërkuar që Tebas të largohet jo vetëm nga posti i presidentit të La Ligës, por edhe nga ai i zëvendëspresidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës. “Si përgjigje ndaj deklaratave të bëra nga Javier Tebas, president i La Ligës dhe zëvendëspresident i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës, në të cilat ai i krahason metodat e veprimit të drejtuesve të Real Madridit me ato të përdorura nga Joseph Goebbels, ministri i Propagandës në regjimin nazist, duke e paraqitur televizionin e Real Madridit si instrument të kësaj strategjie të pretenduar, Real Madridi kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti i presidentit të La Ligës dhe zëvendëspresidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës”, thuhet në komunikatë.
Klubi madrilen ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbrojë interesat dhe imazhin e tij institucional, duke kërkuar gjithashtu zbardhjen e plotë të çështjes Negreira, një prej skandaleve më të mëdha që ka tronditur futbollin spanjoll.