Mbulimi me dozën e parë të vaksinës MRP ka rënë në 62,7 për qind, duke e lënë shumë larg nivelit prej 95 për qind që nevojitet për mbrojtje kolektive.
Prof. dr.
Dragan Danillovski paralajmëron se vendi po krijon kushte për përhapjen e fruthit dhe kërkon përgjegjësi më të madhe nga institucionet.
Pesë rastet e regjistruara me fruth në Maqedoni janë një sinjal shqetësues për rënien e mbulimit me vaksina dhe rrezikun e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Në analizën e tij, profesori i shëndetit publik, Dragan Danillovski, thekson se mbulimi me dozën e parë të vaksinës MRP në vitin 2025 ka rënë në 62,7 për qind, nga 72,7 për qind në vitin 2024 dhe 73,4 për qind në vitin 2023.
Mbulimi me dozën e dytë është 84,7 për qind.
Sipas tij, për të parandaluar përhapjen e fruthit, nevojitet mbulim prej të paktën 95 për qind me dy doza.
Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse, pasi një person i infektuar mund të infektojë 12 deri në 18 persona në një popullatë të pambrojtur.
Danillovski paralajmëron se përveç dezinformatave dhe mosbesimit ndaj vaksinave, ndikojnë edhe vonesat në imunizim, terminet e humbura dhe pengesat në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore.
Ai vë në pikëpyetje edhe efektivitetin e masave institucionale, duke theksuar se pavarësisht fushatës së imunizimit në terren gjatë vitit 2025 dhe përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Imunizim 2026–2030, mbulimi me dozën e parë ka vazhduar të bjerë.
Pas rasteve të reja, institucionet kanë nisur hetimet epidemiologjike, gjurmimin e kontakteve dhe kontrollet e statusit të vaksinimit në shkolla, kopshte dhe institucionet shëndetësore.
Danillovski kërkon masa konkrete, identifikim dhe vaksinim të fëmijëve që kanë humbur dozat, si dhe publikimin e rezultateve nga zbatimi i strategjisë së imunizimit.
Sipas tij, pesë rastet me fruth duhet të shërbejnë si paralajmërim për të gjithë sistemin shëndetësor, sepse parandalimi i një epidemie fillon shumë përpara se të diagnostikohet pacienti i parë.