Rritja e rasteve të fruthit në Kosovë: Rëndësia e vaksinimit për fëmijët

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për një rritje të shqetësueshme të numrit të rasteve të fruthit në vend.

Nga 16 prilli deri më 15 nëntor 2026, janë konfirmuar gjithsej 336 raste.

Vetëm gjatë javës së fundit, janë regjistruar 37 raste të reja, me pjesën më të madhe të të prekurve që janë fëmijë.

Rastet janë raportuar në 24 komuna të Kosovës.

Një fakt alarmant është se mbi 95 për qind e personave të diagnostikuar me fruth nuk kanë qenë të vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.

IKShPK ka theksuar se vaksinimi mbetet masa kryesore për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe për kufizimin e përhapjes së saj. “Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen,” thuhet në njoftimin e institutit.

Instituti ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin plotësues për fëmijët që kanë mbetur pa u vaksinuar ose që nuk i kanë marrë të dyja dozat e parapara të vaksinës MMR.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 4 mijë e 120 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *