Më shumë se 60% e qytetarëve të Serbisë janë të gatshëm të votojnë kundër anëtarësimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian, nëse njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte një nga kushtet për integrim.
Këto janë rezultatet e një sondazhi të Institutit të Shkencave Sociale të Serbisë, të publikuara nga “Yahoo News”, ku 60.2% e të anketuarve shprehin se do ta kundërshtonin anëtarësimin në BE në rast se Serbia do të duhej ta njihte Kosovën si pjesë të procesit të integrimit.
Nga ana tjetër, nëse njohja e Kosovës nuk do të ishte kusht për anëtarësim, 48.3% e qytetarëve të anketuar do ta mbështesnin integrimin evropian të Serbisë.
Kundër këtij procesi janë 35%, ndërsa 12.6% kanë shprehur se janë të pavendosur.
Të dhënat e sondazhit tregojnë gjithashtu një nivel të lartë skepticizmi mes qytetarëve serbë lidhur me perspektivën evropiane të vendit të tyre.
Sipas rezultateve, 46.6% e të anketuarve nuk besojnë se Serbia do të bëhet ndonjëherë anëtare e Bashkimit Evropian.
Ky qëndrim është i pranishëm madje edhe te 19.4% e atyre që në përgjithësi mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BE.
Sondazhi është realizuar nga 21 maji deri më 25 shtator të vitit 2026, me pjesëmarrjen e 1,248 personave.
Këto rezultate pasqyrojnë ndjeshmërinë e çështjes së Kosovës në opinionin publik serb dhe ndikimin që njohja e pavarësisë së saj mund të ketë në mbështetjen e qytetarëve për integrimin evropian të Serbisë.