Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në një takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Abdixhiku njoftoi se në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, perspektivën ekonomike si dhe projektet që kanë rëndësi për zhvillimin e Kosovës.
Ai e falënderoi përfaqësuesen amerikane për bashkëpunimin me LDK-në dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën.
Abdixhiku theksoi se miqësia me SHBA-në mbetet një përcaktim i përhershëm i LDK-së, duke shprehur përkushtimin për thellimin e mëtejmë të këtij partneriteti.