VLEN zbulon dokumente për përfshirjen e ish-funksionarëve të BDI në shitjen e aksioneve të ‘Bankës Ekonomike’

Partia VLEN ka bërë publike disa dokumente që, sipas saj, dëshmojnë përfshirjen e ish-funksionarëve të BDI-së në procesin e shitjes së aksioneve shtetërore në ‘Bankën Ekonomike’ të Manastirit, e cila tani njihet si ‘Alta Banka Maqedoni’.

Sipas VLEN-it, ky vendim është marrë gjatë seancës së 158-të të Qeverisë, më 6 qershor 2023, ku kanë marrë pjesë figura të njohura si Artan Grubi, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Kreshnik Bekteshi.

Vendimi për shitjen e aksioneve është nënshkruar nga Artan Grubi dhe është publikuar në ‘Gazetën Zyrtare’ më 13 qershor 2023.

VLEN pretendon se ky vendim është i lidhur me transaksionet e mëvonshme të aksioneve përmes kompanisë ‘AS Senjak’ dhe një kredie prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd. “Dokumentet nga ‘Gazeta Zyrtare’ dhe procesverbalet e Qeverisë janë dëshmia më e fortë se në rastin e ‘Alta Bankës’ nuk bëhet fjalë për transaksione të rastësishme afariste, por për një operacion të koordinuar”, thuhet në komunikatën e partisë VLEN.

Në fund, VLEN i ka bërë thirrje Prokurorisë Publike dhe Drejtorisë së Inteligjencës Financiare që të zgjerojnë hetimin dhe të marrin në pyetje ish-funksionarët e BDI-së që kanë marrë pjesë në miratimin e këtyre vendimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *