Gjatë protestës së sotme, 13 persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalet dhe poliklinikat e Tiranës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Spitalin Universitar të Traumës kanë shkuar 9 individë, prej të cilëve 7 janë protestues dhe 2 përfaqësues të medias.
Njëri nga protestuesit ka pësuar lëndime në sy dhe aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve, por ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Pesë nga të lënduarit kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga spitali, ndërsa 4 protestues ende vazhdojnë me ekzaminimet dhe trajtimin e tyre.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka shkuar një protestues dhe një efektiv policie, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë larguar më pas.
Gjithashtu, dy efektivë të tjerë policie, që kanë pësuar lëndime në sy, janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2 në Tiranë.
Të dy ata kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e poliklinikës.