41-vjeçari shqiptar dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes në Greqi

Një burrë shqiptar 41-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi, pasi vrau bashkëshorten e tij 36-vjeçare, M.N, nënë e katër fëmijëve, në qytetin e Volosit.

Krimi i rëndë ndodhi në gusht të vitit 2025, përpara fëmijëve të çiftit.

Gjykata e Jurisë në Trikala e shpalli të pandehurin fajtor edhe në shkallën e dytë për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikologjike.

Përveç burgimit të përjetshëm, ai mori edhe një vit burgim për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Sipas mediave greke, 41-vjeçari e kishte sulmuar bashkëshorten me një mjet të mprehtë nga një set për pjekje, duke e goditur disa herë.

Gruaja kishte tentuar të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por ai e ndoqi deri te shkallët e ndërtesës ku jetonin, aty ku e vrau.

Një nga plagët, në zonën e zemrës, rezultoi fatale.

Në seancat gjyqësore ishin të pranishëm katër fëmijët e çiftit, të moshës 19, 17, 14 dhe 6 vjeç, të cilët ndoqën procesin në një atmosferë tejet të rëndë emocionale, pa shkëmbyer asnjë fjalë me babanë e tyre, i cili ndodhej në bankën e të akuzuarve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *