Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, konfirmoi se 30 mijë vaksina kundër gripit nga prodhues evropianë dhe koreanojugorë kanë mbërritur në vend.
Ai theksoi se procesi i imunizimit do të fillojë në kohë, si çdo sezon tjetër.
Në mesin e nëntorit pritet që të arrijnë edhe 26 mijë doza të tjera, ndërsa më vonë, vendi pret të marrë edhe vaksinat e mbetura, për të arritur në numrin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash. “Sasitë e para të vaksinave arritën dje në vend dhe do t’u nënshtrohen kontrolleve dhe testimeve të nevojshme.
Presim që të martën të aktivizohet sistemi ‘Termini Im’ për paraqitjen për vaksinim dhe sipas planit, deri në fund të javës ose në fillim të javës së ardhshme të fillojmë t’i ftojmë qytetarët për vaksinim,” deklaroi Klekovski për televizionin Sitel.
Autoritetet shëndetësore njoftuan në fillim të kësaj jave për disa vonesa në furnizimin me vaksina, pas publikimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që ndihmuan në identifikimin e shtameve të virusit për këtë sezon, çka shkaktoi vonesa në prodhimin dhe dërgesat nga prodhuesit në Evropë dhe vende të tjera.
Edhe gjatë sezonit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë kishte siguruar 80 mijë vaksina kundër gripit, të cilat ishin falas për grupet e rrezikuara.
Sipas Klekovskit, me 30 mijë vaksinat e arritura dje, mund të vaksinohen 1.500 qytetarë çdo ditë pune deri më 15 nëntor. “Me këto 30 mijë vaksina presim të mund të vaksinojmë nga 1.500 qytetarë në ditët e punës deri më 15 nëntor.
Më pas, me 26 mijë dozat e ardhshme, mund të arrijmë në 56 mijë deri në fund të nëntorit dhe shpresoj që deri atëherë të mbërrijnë edhe 25 deri në 30 mijë dozat e tjera, për të arritur numrin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash,” përfundoi Klekovski.