Stambolli përballet me përmbytje pas shiut të rrëmbyeshëm, Murat Boz dhe Demet Özdemir në rrezik

Stambolli kaloi një ditë të vështirë pas shiut të fortë, ku rrugët u bllokuan nga trafiku i dendur dhe disa lagje u përballën me përmbytje të menjëhershme.

Në mesin e personave të bllokuar nga vërshimet ishin edhe këngëtari i njohur Murat Boz dhe aktorja e njohur Demet Özdemir, të cilët ndodheshin në studio në ato momente.

Ngjarja ndodhi në Phoenix Stüdyoları në Ayazağa, ku uji depërtoi me shpejtësi brenda ambienteve dhe ndërpreu furnizimin me energji elektrike.

Në një postim dramatik në rrjetet sociale, Murat Boz bëri thirrje urgjente për ndihmë nga autoritetet emergjente: “Jemi në zonën ku ndodhen Phoenix Stüdyoları në Ayazağa. Çdo gjë është nën ujë, studio po përmbytet dhe energjia elektrike është ndërprerë.

Këtu jemi të bllokuar bashkë me qindra punonjës.

Presim mbështetje urgjente nga autoritetet”.

Ndërsa situata përkeqësohej, Boz vazhdoi me një tjetër mesazh ku tregoi se uji po arrinte lartësi kritike: “Tani po ngjitemi në pikën e fundit ku mund të ngjitemi… Ju lutem, na evakuoni me urgjencë.

Këtu ka gra dhe të rinj”.

Nga ana tjetër, Demet Özdemir konfirmoi se ishin në kontakt me punonjësit e emergjencave dhe theksoi rrezikun serioz nga ngritja e nivelit të ujit: “Ju falënderoj shumë të gjithëve që keni shkruar e keni telefonuar.

Jemi në kontakt me autoritetet dhe po presim të arrijnë te ne.

Shpresojmë që pa humbur më shumë kohë, unë, kolegët e mi dhe të gjithë të tjerët që janë të bllokuar këtu të shpëtohemi.

Uji po ngrihet, ky është ngutja jonë më e madhe për momentin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *