Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka shprehur sot shqetësimin e tij për aktet e dhunës që po ndodhin gjatë protestave në Shqipëri.
Ai theksoi se sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës publike dhe private nuk kanë lidhje me të drejtën për të protestuar.
Peleshi, në një postim në Facebook, theksoi se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë të drejta dhe të ëndërrojnë për një të ardhme të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian, por theksoi se dhuna nuk është mënyra e duhur për të adresuar kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve. “Sulmet ndaj institucioneve, djegia dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë të bëjnë as me studentët, as me të drejtën e tyre për të protestuar,” shkruan Peleshi, teksa ndau edhe deklaratën e Komisionit Evropian lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë që prej gjashtë ditësh.
Ai bëri thirrje për dialog dhe dëgjim të ndërsjellë mes palëve. “Le të ulemi me njëri-tjetrin.
Pa paragjykim, pa mllef. Çdo orë që kalon e bën më të vështirë dialogun,” shprehet kryetari i Kuvendit, duke theksuar se komunikimi duhet të vazhdojë, edhe kur palët nuk bien dakord.
Peleshi përfundoi mesazhin e tij me një apel për bashkim dhe bashkëpunim në interes të vendit.