Shumica e bizneseve kanë mbyllur qepenat dhe kanë larguar mallin.
Kjo është çdo gjë që ka mbetur nga një filial banke pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Zjarri shkrumboi zyrat e këtij institucioni financiar, ku, gjatë përplasjeve të forta me policinë, protestuesit sulmuan edhe bizneset private aty pranë, duke iu vënë zjarrin.
Xhama të thyer dhe çdo gjë tjetër brenda e djegur, duket edhe në bizneset afër piramidës, të cilat nuk i shpëtuan as ato sulmeve.
Dëme ka edhe te rruga “Myslym Shyri”, ku një biznes pranë Gjykatës së Lartë u rrezikua nga zjarri, që kërcënoi edhe institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.
Një operator telefonik aty pranë gjithashtu është sulmuar, ndërsa xhamat e thyer janë ende të pranishëm në trotuar.
Një pjesë e madhe e bizneseve në rrugën “Myslym Shyri” kanë ndërprerë aktivitetin dhe kanë larguar mallin. “Ju lutem mos na dëmtoni!
Jemi me ju!” Ky është mesazhi që ka zgjedhur një biznes në rrugën “Myslym Shyri” për protestuesit, në një përpjekje për të shmangur sulmet.
Mesazhe të tilla janë të pranishme kudo në bizneset e rrugëve pranë qendrës, si një thirrje për të mos u dëmtuar.
Situata duket edhe më e vështirë në rrugën e Durrësit, ku aktiviteti tregtar është paralizuar plotësisht.
Bizneset në të dyja anët e rrugës kanë mbyllur qepenat, dhe gjithashtu kanë vendosur mesazhe për protestuesit që t’i lënë ata në paqe.
Institucionet financiare janë më të prekura gjatë protestave.
Sipas ministrisë së Ekonomisë, 38 degë bankare dhe 42 bankomate janë dëmtuar në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit ku janë zhvilluar protesta.
Ndërkohë, qeveria ka deklaruar se bizneset e dëmtuara do të dëmshpërblehen.
Përmes shërbimit elektronik “Dëmi im” në e-Albania, subjektet tregtare mund të raportojnë dëmet e pësuara.
Në terren janë disa ekipe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të cilat po kryejnë verifikime.