Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar një hetim të plotë dhe të menjëhershëm për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se viktima kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para ngjarjes fatale.
Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti theksoi se Arlinda Zekaj nuk e mori mbrojtjen e nevojshme për të ruajtur jetën e saj. “Një bashkëqytetare e jona kërkoi, por nuk e mori mbrojtjen që i duhej për të mbetur gjallë.
Arlinda Zekaj u vra dje.
Vrasja mizore e Arlinda Zekajt është tronditëse për të gjithë ne”, deklaroi ai.
Kryeministri informoi se tri ditë para vrasjes, Zekaj kishte bërë një denoncim në Prokurori, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj.
Sipas tij, këto rrethana kërkojnë një zbardhje të plotë të rastit, ndërkohë që i dyshuari për vrasjen vazhdon të jetë në arrati.
Kurti kërkoi që Prokuroria dhe institucionet përkatëse të sqarojnë se si janë trajtuar denoncimet e viktimës dhe pse paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës së saj nuk është pasuar me masa konkrete mbrojtëse. “Çdo shkelje duhet të zbardhet”, theksoi ai.
Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti propozoi dy ndërhyrje konkrete për të parandaluar raste të ngjashme dhe për të identifikuar përgjegjësitë institucionale.
Propozimi i parë parasheh që Ministria e Punëve të Brendshme, përmes strukturave kompetente të Policisë së Kosovës, të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë.
Për secilin rast, sipas Kurtit, duhet të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për përcjelljen e tyre, si dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse në nivel qendror dhe lokal.
Ndërhyrja e dytë ka të bëjë me Ministrinë e Drejtësisë, së cilës Kurti i ka kërkuar të përgatisë një raport të detajuar për rastin e Arlinda Zekajt, me qëllim që të zbardhet reagimi ose mosreagimi i zinxhirit institucional.