Rritja e Vrasjeve të Grave në Kosovë: Një Alarm për Mbrojtjen e Viktimave

Kosova vazhdon të përballet me raste të rënda të vrasjeve të grave, që kanë ngritur alarmin për mbrojtjen e viktimave.

Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme nga krerët institucionalë për luftimin e dhunës në familje, disa nga këto raste kanë nxitur reagime të shumta, sidomos për shkak të dyshimeve për mungesë veprimesh institucionale dhe dështim në ofrimin e mbrojtjes së nevojshme.

Me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës më 25 tetor, numri i grave të vrara nga familjarët këtë vit në Kosovë ka arritur në tetë.

Viktimat kishin histori të ndryshme, por rastet e tyre dëshmojnë përmasat e dhunës brenda familjes.

Ndër to ishte një nënë rreth 60-vjeçare, një 25-vjeçare shtatzënë dhe një grua që vetëm tri ditë para vrasjes kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Viti nisi me një rast të rëndë në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një grua rreth 60-vjeçare u gjet e vdekur.

Sipas informatave fillestare të Policisë, dyshohej se ajo u vra nga djali i saj, rreth 30-vjeçar.

Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Majac të Podujevës, ku humbën jetën dy gra dhe një burrë.

Sipas Policisë, Ardita Gashi dyshohej se kishte qëlluar me armë zjarri Ilaz Brahimin, 45-vjeçar, i cili vdiq në vendin e ngjarjes.

Më pas, ajo dyshohej se kishte marrë peng dhe plagosur Miradije Gashin, e cila vdiq më vonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Edhe e dyshuara ndërroi jetë në spital, pasi ishte vetëplagosur.

Jetlira Foniqi Bytyqi, 25-vjeçare dhe shtatzënë, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Kërvasari të Malishevës.

Ajo dyshohej se ishte qëlluar nga bashkëshorti i saj, Egzon Foniqi, 26-vjeçar, i cili gjithashtu kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Jetlira nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë më vonë pas trajtimit mjekësor.

Një tjetër rast i rëndë u regjistrua në Prizren, ku një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., dyshohej se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, 81-vjeçar.

I dyshuari ishte arrestuar, ndërsa viktima kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse.

Në Poterq të Epërm të Klinës, Zoje Zeneli, 81-vjeçare, dyshohet se ishte sulmuar në rrethana të rënda familjare nga djali i saj.

Ajo u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të lëndimeve të rënda.

Të shtënat me armë zjarri në Livoç të Gjilanit i morën jetën Nafije Bogujevcit dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevcit.

Për këtë rast dyshohej bashkëshorti i Nafijes, i cili më pas dorëzohej në Polici.

Rasti më i fundit është vrasja e Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës.

Për vrasjen e saj dyshohet kunati, i cili, sipas informatave të Policisë, ndodhet në arrati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *