Kryeministri Edi Rama ka vazhduar thirrjet për dialog me studentët edhe këtë të martë, ndërsa protestat kundër qeverisë hyjnë në ditën e 14-të.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shpërndau pamje të ulëseve të vendosura përpara Kryeministrisë, duke theksuar rëndësinë e uljes në tryezën e dialogut.
Ftesa e Ramës vjen në një moment kritik, kur protesta ka kaluar përtej kërkesave për arsimin dhe është shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Studentët dhe të rinjtë që janë bashkuar në protestat e organizuara e shohin largimin e tij si zgjidhjen e vetme, duke refuzuar deri më tani ofertën për dialog sipas formatit të propozuar nga qeveria.
Gjatë ditëve të fundit, protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes policisë dhe protestuesve, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar.
Rama ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me studentët, por ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke argumentuar se ka një kontratë me qytetarët, të lidhur me mandatin e tij të marrë përmes zgjedhjeve.
Përplasja mes dy qëndrimeve mbetet në qendër të zhvillimeve: nga njëra anë, qeveria insiston te dialogu, ndërsa nga ana tjetër, protestuesit vazhdojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit.
Do të shihet nëse ftesa e përsëritur e Ramës do të ketë ndikim në qëndrimin e studentëve apo nëse protestat do të vazhdojnë pa një marrëveshje mes palëve.