AGK shpreh shqetësim për largimin e gazetarëve nga Klan Kosova

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas largimit të menjëhershëm të shtatë gazetarëve nga portali klankosova.tv.

Ky veprim ka ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe trajtimin e punonjësve në këtë medium.

Gazetarët e larguar përfshijnë Genita Ukaj, Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum Gashi, Albert Bajrami, Kasim Gërbeshi dhe Endrit Krasniqi.

Sipas AGK-së, largimet kanë ardhur si rezultat i kërkesës nga drejtuesit e portalit për angazhim shtesë gjatë zhvillimit të një spektakli televiziv, pa kompensim adekuat.

AGK-ja ka shprehur keqardhje për largimin e këtyre gazetarëve, duke i cilësuar ata si profesionistë me përvojë disavjeçare në mediat e Kosovës.

Ata janë detyruar të largohen për shkak të trajtimit të padinjitetshëm.

Ky rast dëshmon edhe një herë për ambientin e vështirë të punës me të cilin përballen gazetarët në shumë redaksi në Kosovë.

Në reagimin e saj, AGK-ja i ka bërë thirrje Klan Kosovës dhe mediave të tjera që të respektojnë dispozitat e Ligjit të Punës dhe të garantojnë zbatimin e të drejtave të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë.

Asociacioni ka shprehur solidaritet të plotë me shtatë gazetarët e larguar, duke u ofruar mbështetje për çdo nevojë, përfshirë edhe ndihmën ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *