Cerkin Mehmeti, me origjinë nga Kosova, po synon një tjetër sukses në karrierën e tij si parukier. 33-vjeçari nga Leipzigu do ta përfaqësojë Gjermaninë në Kampionatin Botëror të Parukerisë që do të zhvillohet në Itali, ku do të garojë për titullin e më të mirit në disiplinën “crop fade”.
Cerkin Mehmeti është bërë një emër i njohur në mesin e futbollistëve profesionistë, sidomos atyre që luajnë për RB Leipzigun.
Tani, shqiptari me origjinë nga Kosova synon të tregojë talentin e tij edhe në një skenë ndërkombëtare, duke garuar për Gjermaninë në Kampionatin Botëror të Parukerisë në Paestum të Italisë. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam nominuar. Është një nder i madh për mua ta përfaqësoj Gjermaninë në skenën ndërkombëtare,” shprehet Mehmeti.
Ai do të garojë në disiplinën “crop fade”, një teknikë prerjeje flokësh që kërkon kalim të saktë dhe të njëtrajtshëm nga lëkura te flokët.
Në këtë garë, ai do të përballet me parukierë nga 25 vende të ndryshme, ndërsa synimi i tij është i qartë: të kthehet në shtëpi me titullin e kampionit të botës.
Nga salloni në Leipzig te futbollistët e njohur evropianë, Mehmeti punon në sallonin “Memo’s Cut” në Karl-Liebknecht-Straße të Leipzigut dhe ka ndërtuar një klientelë të veçantë, ku bëjnë pjesë emra të njohur të futbollit evropian.
Gjithçka filloi rreth gjashtë vjet më parë, kur futbollisti Benjamin Henrichs e zbuloi përmes Instagramit dhe e kontaktoi drejtpërdrejt. “Gjithçka filloi me të.
Më pas, lajmi u përhap shumë shpejt,” tregon Mehmeti.
Në mesin e klientëve të tij të rregullt janë futbollistë si David Raum, Brajan Gruda dhe Ezechiel Banzuzi.
Ai ka pasur rastin t’ua rregullojë flokët edhe emrave të tjerë të njohur, ndërsa së fundmi ka qenë parukieri i Yan Diomandes, një prej talenteve të përfolur të futbollit evropian.
Sipas Mehmetit, futbollistët e RB Leipzigut i kanë uruar suksese para garës botërore dhe e mbështesin nga distanca.