Dy shtetas shqiptarë, të moshës 30 dhe 36 vjeç, janë arrestuar në Itali nën akuzën për përfshirje në një seri më shumë se 30 vjedhjesh në rajonet e Lombardisë dhe Venetos.
Po ashtu, mes të arrestuarve ndodhen edhe dy shtetas italianë.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, katër personat u kapën nga Policia e Shtetit në zonat e Milanos, Monzës dhe Vercellit, pas një hetimi për vjedhje në banesa, farmaci, bare dhe piceri, si dhe për veprën penale të përvetësimit të mallrave të vjedhura, përfshirë armë zjarri.
Dy italianët e arrestuar janë të moshës 47 dhe 56 vjeç.
Hetimi u krye nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Milanos dhe Stacioni i Policisë Greco-Turro.
Sipas autoriteteve, aktiviteti i dyshuar i grupit ka zgjatur nga fundi i vitit 2025 deri në gjysmën e parë të vitit 2026, në disa provinca të Lombardisë dhe Venetos.