Sindikata e Gardës së Republikës po kërkon rritje të pagave dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e trajtimit financiar të anëtarëve të saj.
Në një reagim publik, ata kërkojnë që Sektori i Financës dhe institucionet përkatëse të paraqesin menjëherë pranë Ministrisë së Financave një program të detajuar për rritjen e pagave.
Sindikata thekson se situata nuk mund të vazhdojë më kështu.
Sipas tyre, që nga viti 2001, institucioni i Gardës së Republikës nuk është vlerësuar siç duhet financiarisht.
Ata kujtojnë se historikisht kanë pasur një diferencë pagese prej 15 mijë lekësh më shumë në krahasim me punonjësit e institucioneve të tjera të sigurisë, por kjo diferencë tashmë është zhdukur.
Në reagimin e tyre, ata rendisin arsyet pse rritja e pagave është e domosdoshme.
Shërbimi i Gardës karakterizohet nga një presion i vazhdueshëm, gatishmëri maksimale dhe vështirësi të veçanta.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përgjegjësia për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore, ku nuk ka vend për gabime. “Zero tolerancë për gabime.
Në profesionin tonë nuk mund të ketë kurrë ‘herë të parë’ për cënimin e sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore, vendas apo të huaj.
Siguria e tyre është imazhi i shtetit shqiptar”, thuhet në reagim.
Në përfundim, Sindikata kërkon reflektim nga institucionet dhe masa konkrete për përmirësimin e kushteve financiare. “Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti ta vlerësojë me dinjitet.
Presim reflektim dhe hapa konkretë nga strukturat përgjegjëse!”