Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mbajti sot (02.11.2026) një fjalim në sesionin hapës të vizitës vlerësuese të Drejtorisë Ekzekutive të Komitetit Kundër Terrorizmit pranë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (CTED), që po zhvillohet në Shkup nga 2 deri më 6 nëntor.
Delegacioni i Kombeve të Bashkuara udhëhiqet nga zëvendësdrejtoresha e CTED-it, Carmen Cantor.
Qëllimi i kësaj vizite është të vlerësohet zbatimi i rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të shqyrtohen kapacitetet dhe sfidat kombëtare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe të identifikohen mundësitë për avancimin e mëtejshëm të reagimit institucional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë fjalimit të tij, ministri Toshkovski theksoi se vizita paraqet një mundësi të rëndësishme për një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të shtetit, veçanërisht duke marrë parasysh se vlerësimi i fundit i këtij lloji ishte realizuar në vitin 2011. “Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Maqedonia ka kaluar nëpër reforma të rëndësishme institucionale, ligjore dhe strukturore, përmes të cilave i ka forcuar kapacitetet e saj të sigurisë dhe e ka konfirmuar rolin e saj si partnere e përgjegjshme në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar.
Përcaktimi ynë është të vazhdojmë zhvillimin e një sistemi që i identifikon me kohë kërcënimet, i parandalon ato në mënyrë efikase dhe garanton sigurinë e qytetarëve,” theksoi Toshkovski.
Ministri theksoi se gjatë periudhës së kaluar janë avancuar mekanizmat për koordinimin ndërinstitucional, shkëmbimin e informacioneve operative dhe bashkëpunimin ndërmjet policisë, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve për menaxhimin e kufijve.
Njëkohësisht, vëmendje e veçantë është kushtuar parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, identifikimit të hershëm të radikalizimit, deradikalizimit dhe risocializimit, përmes përfshirjes së komuniteteve lokale, institucioneve arsimore dhe sektorit civil.
Duke folur për prioritetet e ardhshme, Toshkovski paralajmëroi miratimin e Strategjisë së rishikuar Kombëtare për Luftën Kundër Terrorizmit, me theks të veçantë te radikalizimi digjital dhe kërcënimet e reja të sigurisë. “Kërcënimet terroriste gjithnjë e më shumë po zhvendosen në hapësirën digjitale.
Prandaj, tashmë kemi filluar procesin e formimit të një Njësie të specializuar Kombëtare për monitorimin dhe luftimin e përmbajtjeve terroriste në internet.
Paralelisht, planifikojmë ushtrime simuluese ndërinstitucionale për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballjen me kërcënimet hibride, duke përfshirë edhe sektorin privat,” theksoi ministri.