Policia e Kosovës do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht më gjatë se afati ligjor prej 8 ditësh, pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Në një njoftim, Policia bëri të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.
Sipas Policisë, ky vendim nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por kufizon kohëzgjatjen e mbajtjes fizike të patentave në maksimum 8 ditë. “Në këtë drejtim, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentës nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.
Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit vazhdojnë ta kenë të ndaluar vozitjen deri në përfundimin e afatit të saj.
Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për 6 muaj, 5 pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.