Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar një takim me familjen e të ndjerit Astrit Dehari, gjatë të cilit janë diskutuar shqetësimet dhe qëndrimet e familjarëve lidhur me rastin e vdekjes së tij.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe prokurori special, Bekim Kodraliu, i cili gjithashtu është prokuror i çështjes së Astrit Deharit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Gashi ka dëgjuar nga afër shqetësimet e familjes Dehari dhe ka theksuar rëndësinë që kjo çështje të trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.
Kryeprokurori ka ritheksuar se zbardhja e plotë e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit është një obligim institucional.
Ai ka shprehur angazhimin maksimal, brenda kompetencave dhe autorizimeve ligjore, për të siguruar që rasti të trajtohet me profesionalizëm dhe të marrë një epilog përfundimtar. “Kjo çështje penale duhet të trajtohet me profesionalizëm, me qëllim që të zbardhet e vërteta rreth këtij rasti dhe i njëjti të marrë epilog përfundimtar”, citohet në njoftimin e Prokurorisë.
Në përfundim, Prokuroria ka theksuar përkushtimin e saj për trajtimin e çështjeve penale me përgjegjësi, paanshmëri dhe transparencë, në mënyrë që familjarët e viktimave të marrin përgjigje institucionale dhe drejtësi.