Buxheti i Arsimit 2027: Rritje e Bursave për Studentët dhe Mbështetje për Akomodim

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2027 në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi se mbështetje për studentët është prioritet.

Ajo njoftoi se Arsimi i Lartë do të ketë rritjen më të madhe të vlerës në buxhetin e vitit 2027, me një shtesë prej 1.25 miliardë lekësh, kryesisht për paketën e mbështetjes studentore. “Duke iu përgjigjur kërkesave të universiteteve dhe duke dëgjuar zërin e studentëve, kemi vendosur një rritje të buxhetit për arsimin e lartë.

Më shumë mbështetje do të ofrohet për studentët me nevoja sociale, duke rritur bursat nga 10,000 lekë në 25,000 lekë në muaj”, deklaroi Kumbaro.

Kumbaro gjithashtu njoftoi se për herë të parë do të zgjerohet skema e mbështetjes për studentët në degët prioritare në ciklin e dytë të programeve “Master”. “Në vitin 2027, rritet bursa për studentët nga familjet në nevojë, e cila tani do të jetë 25,000 lekë në muaj, rreth 275 euro, dhe do të vazhdojë edhe gjatë studimeve Master”, shtoi ajo.

Kjo paketë do të mbështesë mbi 11,500 studentë në tri kategori. “5,900 studentë nga familjet në nevojë do të marrin 25,000 lekë në muaj; 5,500 studentë me notë mesatare 9–10 do të përfitojnë 10,000 lekë, dhe 177 studentë të programeve me përparësi kombëtare do të marrin 50,000 lekë në muaj”, tha Kumbaro.

Përveç kësaj, parashikohen fonde për akomodimin e studentëve në qytete universitare, me vlerë 375 milionë lekë (rreth 4 milionë euro), që do të sigurojnë akomodim për 7,000–7,500 studentë. “Ky financim do të përmirësojë kushtet e jetesës në konviktet e Tiranës, Kamzës, Vlorës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *