Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se ndryshimi në udhëheqjen politike në Serbi nuk pritet të ndikojë në qëndrimin e Beogradit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë Samitit për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, i organizuar nga Euronews në Bruksel, Rama shprehu se Lëvizja Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e fundit në Serbi, nuk ka treguar gatishmëri për të diskutuar çështjen e Kosovës. “Ata janë plotësisht të mbyllur ndaj njohjes së Kosovës, që do të thotë se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”, tha ai.
Rama e theksoi se Kosova mbetet çështja më e rëndësishme për shqiptarët dhe qëndrimi i udhëheqjes së re serbe nuk tregon ndonjë shenjë për ndryshim në këtë drejtim.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Serbia është një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të jetë pjesë e projektit europian, por për këtë është e nevojshme që të përmbushë detyrimet e saj.
Rama kritikoi qasjen e Serbisë ndaj politikave të Bashkimit Evropian, sidomos mosrreshtimin me sanksionet kundër Rusisë. “Serbia duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë plotësisht përkatësinë në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Në intervistë, kryeministri shqiptar gjithashtu foli për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke përsëritur angazhimin e qeverisë së tij për t’i përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.