Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur me një ceremoni ushtarake në Prishtinë gjeneralmajorin Stephen E.
Osborn, adjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Takimi është mbajtur në Kazermën “Adem Jashari”, ku Jashari i ka ndarë gjeneralit amerikan Medaljen për Shërbim Vetëmohues, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij në forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Sipas njoftimit të FSK-së, partneriteti ndërmjet dy forcave është ndërtuar ndër vite mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta, duke përfaqësuar një dëshmi të bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.