Një rast i ri me fruth është konfirmuar në Maqedoni, duke e çuar numrin e personave të infektuar në pesë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Rasti i fundit i raportuar është një foshnjë një vjeç e gjysmë, duke e çuar në gjithsej tre foshnje, një burrë 45-vjeçar dhe një shtetas të Kosovës.
Klekovski theksoi se ekziston një lidhje paraprake midis rastit të shtetasit të huaj dhe tre rasteve te qytetarët e RMV-së, por se pritet analiza epidemiologjike nga Instituti i Shëndetit Publik për ta konfirmuar atë zyrtarisht.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të kontrollojnë nëse kanë marrë dy doza të vaksinës kundër fruthit apo e kanë kaluar sëmundjen.
Klekovski gjithashtu shprehu mosbesimin e tij ndaj masave të vaksinimit të detyruar, duke theksuar se ato vetëm rrisin rezistencën e qytetarëve.
Ai paralajmëroi se fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse virale dhe se virusi mund të qëndrojë në ajër deri në dy orë. “Prandaj, qytetarët që vërejnë simptoma të sëmundjes duhet të telefonojnë mjekun e tyre, në vend që të shkojnë direkt në një strukturë shëndetësore dhe t’i ekspozojnë pacientët e tjerë në rrezik,” tha Klekovski.
Ai u bëri thirrje prindërve që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në kopësht dhe shkollë nëse kanë simptoma të fruthit.