Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, Action for Mothers and Children, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK dhe Instituti i Evropës Juglindore për Shëndetin dhe Politikat Sociale (IEJL-PShS) shprehin shqetësim lidhur me rritjen e rasteve të fruthit në Kosovë.
Ata u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin e fëmijëve në kohë, si një nga mënyrat më efikase për të mbrojtur shëndetin e tyre.
Sipas njoftimit për media, të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) tregojnë se nga data 16 prill deri më 1 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 269 raste të fruthit, nga të cilat 27 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. “Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë ndërlikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Këto të dhëna përkujtojnë rëndësinë e vaksinimit në kohë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin e përhapjes së sëmundjes,” thuhet në njoftim.
Gjithashtu, njoftohet se programi i vaksinimit të fëmijëve në Kosovë është një arritje e rëndësishme për shëndetin publik, e realizuar falë angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve shëndetësore, profesionistëve, komunave, prindërve dhe partnerëve të tjerë. “Megjithatë, rënia e mbulueshmërisë me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), nga 95% në vitin 2019 në 89% në vitin 2024 dhe 82% në vitin 2025, thekson rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim.
KOMF, AMC, PRAK dhe IEJL-PShS u bëjnë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë marrjen e të gjitha dozave të rekomanduara sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.
Prindërit, fëmijët e të cilëve nuk i kanë marrë të gjitha dozat e rekomanduara, inkurajohen të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për këshillim dhe vaksinim plotësues.” Në përfundim, njoftimi thekson se profesionistët shëndetësorë janë burimet më të besueshme për informacion dhe këshillim për prindërit dhe familjet.