Platforma eKosova njofton se tani është përdorur Identiteti Elektronik (eID) në shërbimet e saj!
Sipas njoftimit, eKosova vazhdon të zgjerojë mundësitë e shërbimeve digjitale, duke ofruar zgjidhje të reja që kanë për qëllim ta bëjnë ndërveprimin mes qytetarëve dhe bizneseve me institucionet publike më të lehtë, më të shpejtë dhe më të sigurt. “Përmes eID-së, të integruar në Kuletën Digjitale të Kosovës, përdoruesit mund të hyjnë në llogaritë e tyre në eKosova pa pasur nevojë të përdorin fjalëkalimin.
Ky mekanizëm mundëson identifikim dhe autentikim elektronik të sigurt, duke ofruar një mënyrë moderne dhe më praktike për qasje në shërbimet digjitale.
Kjo risi është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të identitetit digjital dhe forcimit të sigurisë gjatë përdorimit të shërbimeve elektronike.
Njëkohësisht, eID kontribuon në thjeshtimin e proceseve të kyçjes, duke reduktuar varësinë nga fjalëkalimet dhe duke krijuar një përvojë më të lehtë për përdoruesit”, theksohet në njoftim.
Nënshkrimi elektronik – një mundësi e re në shërbimet e eKosova Përveç mundësisë për të hyrë pa fjalëkalim, integrimi i eID-së gjithashtu mundëson përdorimin e nënshkrimit elektronik brenda shërbimeve të platformës.
Tani, gjatë aplikimit për regjistrimin e një biznesi të ri në eKosova, aplikuesit kanë mundësinë t’i nënshkruajnë dokumentet në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë për procedura fizike të nënshkrimit. “Ky është një nga aplikimet e para konkrete të nënshkrimit elektronik në platformën eKosova dhe një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të proceseve administrative.
Përmes kësaj mundësie, synohet të reduktohet nevoja për dokumentacion fizik, të shkurtohet koha e përfundimit të procedurave dhe të lehtësohet qasja në shërbime për qytetarët dhe bizneset”, theksohet në njoftim. eKosova thekson se integrimi i eID-së krijon bazën për zgjerimin e përdorimit të identitetit dhe nënshkrimit elektronik edhe në shërbime të tjera të platformës eKosova.