Ministria e Mjedisit ka pranuar zyrtarisht studimin për vlerat natyrore të Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit, një dokument që do të shërbejë si bazë për procedurat e mëtejshme drejt shpalljes së këtyre dy zonave si zona të mbrojtura.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Fitore Pacolli, e cila theksoi se ky studim dokumenton biodiversitetin dhe potencialin turistik të këtyre zonave.
Pas pranimit të këtij studimi, ministria do të fillojë procedurat për ta dërguar nismën për votim në Kuvendin e Kosovës.
Pacolli e theksoi se shpallja e Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit si zona të mbrojtura do të rrisë sipërfaqen e territorit të mbrojtur në Kosovë nga 11 për qind në 12.4 për qind.
Ajo e konsideroi këtë hap si një avancim të rëndësishëm për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. “Sot në Istog pranova zyrtarisht Studimin për vlerat natyrore të Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit.
Ky dokument thelbësor shkencor vërteton biodiversitetin e jashtëzakonshëm dhe potencialin e madh turistik të këtyre zonave, duke na dhënë një udhërrëfyes të qartë për zhvillim të qëndrueshëm,” ka shkruar ajo.
Ministrja ka shtuar se institucionet do të angazhohen për mbrojtjen e këtyre pasurive natyrore.