Deputeti Eman Rrahmani, anëtar i Komisionit Hetimor parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, ka theksuar se tani nuk është koha për dorëheqje morale, por për shkarkime të zyrtarëve përgjegjës.
Gjatë emisionit Debat Plus, Rrahmani ka kërkuar që të shqyrtohet funksionimi i sistemit dhe të mbahet përgjegjësi për rastet e vrasjeve dhe dhunës në familje.
Ai ka shprehur se institucionet duhej të ishin shembull përmes dorëheqjeve morale që në ditët e para pas rastit, por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur. “Është dashur që t’i japin standarde, siç ndodh në secilin vend të botës, me dorëheqje.
Tashmë ka kaluar koha e dorëheqjes, tash është koha e shkarkimeve dhe që të duhej të bëhej nga kryeministri”, ka theksuar ai.
Rrahmani gjithashtu ka kritikuar qeverisjen për rritjen e rasteve të vrasjeve dhe dhunës në familje gjatë gati shtatë vjetëve, duke thënë se sistemi nuk ka funksionuar siç duhet.
Ai ka shtuar se Komisioni Hetimor parlamentar ka obligim të merret seriozisht me këtë çështje dhe të hetojë deri në fund përgjegjësitë institucionale.