Dogana e Kosovës, në kuadër të kontrolleve rutinore për automjetet transportuese në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar në Vërmicë, ka zbuluar një sasi prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara.
Sipas njoftimit, kamioni në fjalë, i cili kishte përfunduar procedurat doganore përmes deklaratës së para-arritjes, ishte përzgjedhur për kontroll shtesë bazuar në parametrat e menaxhimit të riskut.
Në këtë rast, zyrtari doganor ka kërkuar që automjeti t’i nënshtrohet kontrollit me skaner dhe matjes së peshës. “Gjatë verifikimit në peshore janë evidentuar mospërputhje në peshën e deklaruar, përkatësisht një diferencë prej rreth 10 tonësh mallra të padeklaruara.
Për këtë arsye, është kërkuar kontroll më i detajuar i ngarkesës.
Vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet të jetë rreth 154,000 dollarë amerikanë,” thuhet në raport.