Operacioni “Polinomi 2”: Sekuestrohen 77 kg Kanabis në Shkodër

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni “Polinomi 2”, i cili u zhvillua në Shkodër, ku u sekuestruan rreth 77 kilogramë kanabis, armë zjarri dhe municion.

Në këtë operacion, dy persona u arrestuan, ndërsa një 24-vjeçar u shpall në kërkim.

Ky operacion përfundoi pas katër muajsh hetimesh me metoda proaktive nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë.

Në pranga kanë rënë dy vëllezër: një 49-vjeçar nga fshati Abat dhe një 57-vjeçar nga fshati Grudë e Re.

Ndërkaq, djali i 57-vjeçarit, një 24-vjeçar, është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, janë gjetur dhe sekuestruar 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit, policia ka sekuestruar rreth 66.8 kilogramë kanabis, një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municion për armë zjarri, armë gjahu, si dhe aksesorë të tjerë për armët.

Policia ka sekuestruar gjithashtu një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike, dy kamera dhe një monokular.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *