Projekti i Fabrikës së Municioneve në Jahoc: Sfida dhe Perspektiva

Në Jahoc të Gjakovës kanë filluar punimet e para për ndërtimin e një prej projekteve më të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes ka për qëllim që deri në fund të këtij viti të nisë prodhimin e parë testues të municioneve ‘Made in Kosova’.

Megjithatë, sfidat për funksionalizimin e fabrikës së municionit janë më të mëdha se ndërtimi i objektit.

Funksionalizimi kërkon përmbushjen e një sërë kushtesh, përfshirë bazën ligjore dhe procedurat administrative, instalimin e teknologjisë, trajnimin e personelit dhe standardet e sigurisë.

Këto sfida, sipas ekspertëve, vënë në pikëpyetje nëse prodhimi i parë testues mund të nisë brenda afatit të paralajmëruar.

Punimet e para për këtë kompleks industrial në Jahoc kanë filluar, me punëtorë dhe makineri të rënda që punojnë për përgatitjen e hapësirës ku do të ndërtohet fabrika e parë e municionit në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se projekti është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë dhe marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE. “Punimet për realizimin e projektit të fabrikës së municoneve kanë filluar dhe janë duke vazhduar sipas marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë shtetërore turke MKE.

Sipas afateve të parapara, pritet që deri në fund të këtij viti të fillojë prodhimi i parë testues i municioneve ‘Made in Kosova’.

Ky projekt nuk përfshin vetëm ndërtimin e një fabrike, por krijimin e një kompleksi industrial të prodhimit të municioneve, me infrastrukturë mbështetëse, laboratorë testimi dhe kalibrimi, depo dhe objekte të tjera të nevojshme për funksionimin e tij,” ka thënë Liridona Gashi, shefe e kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sidoqoftë, afati i paralajmëruar për nisjen e prodhimit të municioneve deri në fund të këtij viti shihet si vështirë i realizueshëm nga Hysen Gecaj, njohës i çështjeve të sigurisë. “Nuk e besoj që mund të arrihet për kaq kohë të shkurtër që të fillohet me prodhimin e municioneve. Është e pamundur.

Ne nuk kemi një ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për municionet ushtarake,” ka thënë Gecaj.

Nga ana tjetër, Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se vonesat në realizimin e projektit lidhen me procedurat administrative dhe ligjore që duhet të përmbyllen ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. “Këto vonesa definitivisht i shoh si aspekte procedurale ose administrative ndërmjet dy shteteve, sepse është partneritet i Republikës së Turqisë, në këtë rast i një fabrike shumë serioze për prodhimin e municioneve, dhe Kosovës,” ka thënë Dashevci.

Paralelisht me përgatitjet për ndërtimin e fabrikës, Ministria e Mbrojtjes ka nisur disa muaj më parë edhe procedurat për rekrutimin e personelit që do të angazhohet në këtë kompleks industrial, duke përfshirë pozita të ndryshme nga disa fusha profesionale.

Në dhjetor bëhen dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit turk MKE për themelimin e fabrikës së municioneve, e cila parashikohej të fillonte prodhimin e municionit deri në fund të vitit.

Dy vjet më vonë, mbetet të shihet nëse do të prodhohet këtë vit municioni i parë ‘Made in Kosova’, apo prodhimi do të shtyhet përtej afatit të paralajmëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *