Protestat e të rinjve në Shqipëri, Zvicër, Serbi dhe vende të tjera kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të gjeneratave.
Eksperti gjerman Rüdiger Maas thotë se, pavarësisht se të rinjtë po dalin në rrugë në shumë shtete, arsyet dhe kërkesat e tyre ndryshojnë dukshëm nga një vend në tjetrin.
Në një intervistë për mediumin zviceran Watson, Maas ka folur edhe për protestat e të rinjve në Shqipëri, duke theksuar se demonstruesit shqiptarë i kanë shpjeguar lëvizjet e tyre përmes pakënaqësisë ndaj qeverisë dhe opozitës, të cilat i akuzojnë për korrupsion.
Sipas tij, të rinjtë që kanë protestuar në Shqipëri nuk e identifikojnë veten domosdoshmërisht me të majtën apo të djathtën politike, por e vendosin në plan të parë patriotizmin, krenarinë kombëtare dhe të ardhmen e vendit.
Maas ka treguar se gjatë kontakteve me protestuesit shqiptarë ka dëgjuar kërkesa për ndryshim politik, duke përfshirë largimin e qeverisë së Edi Ramës, por edhe kundërshtimin ndaj opozitës.
Ai ka krahasuar protestat në Shqipëri me ato në Zvicër dhe Gjermani, ku, sipas vlerësimit të tij, kërkesat e një pjese të të rinjve janë më shumë të përqendruara te interesat personale, si ruajtja e standardit të jetesës, mundësia për të blerë një shtëpi dhe kundërshtimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Në anën tjetër, në vende si Serbia, Madagaskari dhe Nepali, eksperti vëren se protestat janë orientuar më shumë drejt ndryshimeve që prekin të gjithë shoqërinë, përfshirë qasjen në energji elektrike, ujë të pijshëm dhe mundësi më të mira për jetesë.