Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka shprehur shqetësimin e tij pas ndryshimeve të vërejtura në hapësirën e Presidencës, ku Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është larguar nga vendi ku ishte ekspozuar, ndërsa fotografia e presidentit historik Ibrahim Rugova është zhvendosur në një vend më anash.
Sadiku, gjatë një konference për media, pasi u largua nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi për të shprehur pakënaqësinë e tij për largimin e raportimit të anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës nga rendi i ditës, e ka cilësuar të panevojshëm këtë ndryshim në hapësirën e Presidencës.
Ai i bëri thirrje presidentes Justina Shiroka Pula që të reflektojë dhe të rikthejë gjendjen siç ishte më parë, duke theksuar rëndësinë historike të figurës së Ibrahim Rugovës. “Një gjest jo i mirë, i panevojshëm, duhet të ketë protokolle të arta për këtë punë që duhet të zbatohen.
Presidenti Rugova nuk është më ish president apo ish kryetar i LDK-së, është figurë historike e patejkalueshme për secilin person të tashmes apo të ardhmes.
Po shpresoj që presidentja të reflektojë dhe të kthejë gjendjen si ka qenë, sepse ajo është mbi të dhe mbi secilin, jo vetëm ideja e fotografisë por ideja që përfaqëson presidenti Rugova tek gjeneratat e kaluara dhe që duhet të përfaqësojë tek gjeneratat e ardhshme,” tha ai.
Presidenca e Kosovës, nga ana e saj, ka mohuar pretendimet se fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë janë larguar nga hapësirat e institucionit.
Në një sqarim për media, Presidenca ka bërë të ditur se të dyja vazhdojnë të jenë në vendet e tyre. “Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës.
Të gjitha janë aty,” thuhet në reagim.
Ky sqarim vjen pas kritikave të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë kundërshtuar largimin e pretenduar të fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, më herët i kishte bërë thirrje presidentes që ta rishqyrtonte vendimin dhe t’i kthente këto simbole në vendin e tyre, duke theksuar rëndësinë historike dhe shtetërore të ish-presidentit Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë.
Megjithatë, Presidenca këmbëngul se asnjëri prej këtyre elementeve nuk është larguar nga institucioni.