Buxheti për mbrojtjen e Kosovës për vitin 2027 është planifikuar të arrijë në mbi 224 milionë euro, duke shënuar kështu shumën më të lartë të ndarë ndonjëherë për këtë sektor, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ai sqaroi se buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 224 milionë e 168 mijë e 705 euro, mjete që do të përdoren për modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. “Buxheti për mbrojtjen e Republikës së Kosovës për vitin 2027 është planifikuar të jetë 224,168,705 euro, më i larti në historinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Kosovës”, tha Maqedonci.
Ai theksoi se, përmes këtij buxheti, do të vazhdojnë investimet në pajisje dhe sisteme moderne ushtarake, me synimin për të avancuar kapacitetet operacionale të FSK-së.
Një pjesë e mjeteve është planifikuar gjithashtu për zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse.
Ministri theksoi se investimet do të përqendrohen në modernizimin e ushtrisë, furnizimin me pajisje ushtarake dhe rritjen e kapaciteteve të saj.
Buxheti prej 224.17 milionë eurosh është pjesë e planifikimit financiar për vitin 2027, ndërsa realizimi i tij është i lidhur me miratimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit.
Projektbuxheti total për vitin 2027 është planifikuar të jetë 4.27 miliardë euro, i cili nesër pritet të kalojë për shqyrtim të parë në Komisionin për Buxhet.