Në Gjakovë, dy persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa Policia ka arrestuar një të dyshuar lidhur me këtë rast.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, njoftoi se Policia është informuar sot rreth orës 16:40 nga Qendra Emergjente e Spitalit të Gjakovës se dy individë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se janë plagosur me armë.
Pas marrjes së informacionit, njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimeve kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja dhe një armë të gjatë automatike.
Një person është arrestuar në lidhje me këtë rast, ndërsa Policia po vazhdon me veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Deri më tani, rrethanat dhe motivet që çuan në plagosjen e dy personave nuk janë bërë të ditura.