Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikon të hapë një pikë tjetër kufitare me Kosovën, e cila do të lejojë kalimin e kamionëve me qymyr të importuar nga Kosova.
Kryeministri Hristijan Mickoski e bëri këtë njoftim gjatë një konference për media, duke theksuar se ky do të jetë një pikëkalim që më parë përdorej nga KFOR-i.
Mickoski shpjegoi se për të rritur prodhimin e energjisë elektrike të EMV-së, ata kanë në plan të vënë në funksion TEC-in e Negotinës dhe atë të Osllomesë. “Planifikojmë të hapim një pikëkalim të veçantë kufitar me Kosovën, i cili më parë përdorej nga KFOR-i për të sjellë qymyr më shpejt.
Vetëm kamionë me qymyr do të kalojnë nëpër këtë pikëkalim kufitar, dhe është planifikuar që atje të kalojnë 200 kamionë me qymyr, si dhe 60 kamionë në pikëkalimin kufitar të Bllacës”, tha Mickoski.
Ai theksoi se për funksionimin e tre blloqeve të TEC Manastir janë të nevojshme mbi 6.000 ton qymyr.
Kryeministri po ashtu informoi se një rritje e çmimit të energjisë elektrike është e mundur, por jo më shumë se 5%.
Ai përfundoi duke thënë se tenderi për nxjerrjen e qymyrit në Kosovë duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji dhe se pret që gjithçka të jetë në rregull.