Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka konfirmuar se një nga pjesëtarët e saj ka pësuar lëndime të lehta gjatë një aktiviteti trajnues në një nga poligonet ushtarake.
Në një reagim lidhur me raportimet e mediave për incidentin gjatë ushtrimeve me municione, FSK-ja ka sqaruar se ngjarja ka ndodhur më herët, pa ofruar detaje të tjera për rrethanat e saj.
FSK-ja thekson se gjatë realizimit të trajnimeve me municione, përballen me rreziqe të larta, por paraprakisht ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe menaxhimin e këtyre rreziqeve.
Sipas njoftimit, këto masa përfshijnë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit, si dhe angazhimin e ekipeve mjekësore për evakuim të mundshëm gjatë aktiviteteve.
Institucioni thekson se të gjitha masat e sigurisë janë në përputhje me procedurat standarde të FSK-së dhe standardet e NATO-s. “FSK është e vetëdijshme se profesioni ushtarak përbën një rrezikshmëri të lartë për shkak të përmbushjes së misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë, në raport me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël falë masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut,” thuhet në reagim.
Në fund, FSK-ja ka ritheksuar përkushtimin e saj për rritjen e vazhdueshme të sigurisë dhe mbrojtjen e pjesëtarëve të saj.