Rritja e rasteve të diabetit dhe rëndësia e diagnostikimit të hershëm në Kosovë

Rritja e rasteve të diabetit, rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe përmirësimi i kujdesit për ata që preken nga kjo sëmundje ishin në fokus të një tryeze të rrumbullakët që u mbajt në Pejë, në kuadër të aktiviteteve për Ditën Botërore të Diabetit, e cila shënohet më 14 nëntor.

Tryeza u organizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, me mbështetje nga projekti IHS.

Aktivitetit i parapriu një aksion sensibilizues në sheshin e qytetit të Pejës, ku morën pjesë zyrtarë shëndetësorë, profesionistë të mjekësisë, përfaqësues të shoqatave të pacientëve dhe mediave.

Me moton për vitin 2026, “Vepro herët, parandalo diabetin!”, aktiviteti synonte të ndërgjegjësonte qytetarët për ndikimin e diabetit në shëndet, si dhe të promovonte parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe menaxhimin e duhur të kësaj sëmundjeje.

Gjatë prezantimit të të dhënave statistikore, Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës paraqiti ecurinë e rasteve të diabetit në vend, duke theksuar rritjen e rasteve të raportuara, veçanërisht të diabetit të tipit 2.

Sipas të dhënave nga Regjistri Populativ në Departamentin e Statistikave Shëndetësore për periudhën 2022–2024, numri i rasteve të raportuara me diabet të tipit 2 ishte 7,302 në vitin 2022, 9,723 në vitin 2023 dhe 11,729 në vitin 2024.

Ndërkaq, për diabetin e tipit 1 janë raportuar 2,455 raste në vitin 2022, 3,410 në vitin 2023 dhe 2,681 raste në vitin 2024.

Sipas prezantimit, përqindja e rasteve me diabet të tipit 1 ishte 9.4% në vitin 2022, 8.3% në vitin 2023 dhe 6.2% në vitin 2024.

Te diabeti i tipit 2, këto përqindje ishin 27.8% në vitin 2022, 23.6% në vitin 2023 dhe 26.9% në vitin 2024.

Statistikat tregojnë se grupmosha më e rrezikuar është ajo nga 60 deri në 74 vjeç, ndërsa gjinia femërore dominon në statistikat e të prekurve, si me diabet të tipit 1, ashtu edhe me diabet të tipit 2.

Në nivel global, rreth 589 milionë të rritur të moshës 20–79 vjeç jetojnë me diabet, prej të cilëve 252 milionë nuk janë të diagnostikuar.

Deri në vitin 2050, numri i personave të prekur nga kjo sëmundje pritet të arrijë në 853 milionë.

Për situatën në komunën e Pejës foli edhe oftalmologia e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Pranvera Qavolli Kryeziu, e cila bëri të ditur se në këtë komunë janë të regjistruar 1,140 persona me diabet.

Ajo po ashtu theksoi se në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës trajtohen rreth 300 pacientë me retinopati diabetike, një nga ndërlikimet e diabetit që prek shikimin.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e forcimit të kujdesit shëndetësor në shkolla, ku u kërkua që të ketë infermierë shkollorë, të cilët do të mund të kontribuonin në edukimin shëndetësor, identifikimin e hershëm të problemeve shëndetësore dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

Po ashtu, u bë e ditur se Asociacioni të Sëmurve nga Diaberi në Pejë ka siguruar sensorë për matjen e glukozës për fëmijët e prekur nga diabeti, ndërsa brenda gjashtë muajve janë realizuar 300 vizita në shtëpi për pacientët në këtë komunë.

Tryeza u moderua nga përfaqësues të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Pejë, ndërsa në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Drejtorisë së Shëndetësisë në Pejë, Shoqatës së Diabetikëve dhe projektit IHS.

Gjatë diskutimeve, Ministria e Shëndetësisë ka shprehur qëndrimin se është e mirëseardhur çdo politikë që mund të përshtatet me legjislacionin në fuqi në vend, duke lënë të hapur mundësinë për shqyrtimin e propozimeve që kontribuojnë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe parandalimin e sëmundjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *