AKK Kërkon Zgjidhje për Kompensimin e Dëmeve në Bujqësi pas Fatkeqësive Natyrore

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore zgjidhje konkrete për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore.

Sipas tyre, që nga viti 2023 nuk është realizuar asnjë kompensim për dëmet e evidentuara.

Kjo çështje është diskutuar në takimin e Kolegjiumit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të organizuar nga AKK-ja në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi të Komunës së Istogut.

Përfaqësuesit e komunave kanë shprehur shqetësimin se kërkesat për kompensimin e dëmeve, të paraqitura nga komunat, ende nuk janë shqyrtuar përfundimisht.

Ata kanë kërkuar sqarime lidhur me punën dhe funksionalitetin e Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve, si dhe për hapat që do të ndërmerren për trajtimin e kërkesave të mbetura.

Si shembull i përmasave të kësaj problematike është përmendur Komuna e Istogut, ku dëmet në bujqësi janë vlerësuar deri në tre milionë euro.

Përfaqësuesit e komunave kanë kërkuar që çështja të trajtohet në nivel qendror, veçanërisht nga Zyra e Kryeministrit, dhe të organizohen konsultime të drejtpërdrejta për përcaktimin e vlerës së përgjithshme të dëmeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për kompensimin e tyre.

Po ashtu, është propozuar që kjo problematikë të adresohet edhe në komisionin parlamentar përgjegjës.

Gjatë takimit janë diskutuar edhe dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, për të cilat komunat kanë kërkuar shqyrtimin e mekanizmave të kompensimit.

Në mesin e çështjeve të tjera të ngritura ishin edhe mungesa e thirrjeve për grante dhe projekte të zhvillimit rural, mbështetja për rrugët fushore, si dhe shqetësimet e prodhuesve bujqësorë lidhur me trajtimin tatimor dhe eksportin e produkteve.

Në përfundim, AKK-ja ka bërë të ditur se do t’i adresojë këto shqetësime përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrisë përkatëse, Zyrës së Kryeministrit dhe Komisionit Parlamentar përgjegjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *