Gjykata e Prishtinës ka vendosur të caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për ish-ministrin e Kulturës, Astrit Haraqija, si dhe për Jeton Stanovcin, Gëzim Fekën, Arjanit Beqirin, Albana Xhemajli-Ramadanin dhe Alban Malokun.
Të gjithë ata u arrestuan në operacionin policor të koduar ‘Heshtja’, i cili u zhvillua më 14.11.2026 në rajonin e Prishtinës.
Sipas aktvendimit, masa e paraburgimit për të akuzuarit Jeton Statovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli Ramadani dhe Alban Maloku është llogaritur nga 14.11.2026 deri më 14.12.2026, ndërsa për Astrit Haraqijën nga 15.11.2026 deri më 15.12.2026.
Në vendimin e Gjykatës theksohet se paraburgimi është caktuar nën dyshimin se ata kanë kryer veprën penale të shitblerjes së paautorizuar të narkotikëve, ndërsa Astrit Haraqija akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Seanca dëgjimore për këtë rast u mbajt sot (më 16.11.2026) në orët e paradites.
Avokati i Jeton Statovcit, Florent Latifaj, gjatë seancës deklaroi se kundërshton kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se nga kontrollet në pesë lokacione të mbrojturit të tij nuk është gjetur asgjë e paligjshme.
Ai theksoi se sasia prej 30 gramësh marihuanë është gjetur te një person tjetër që e ka pranuar vetë.
Avokati i Gëzim Fekës, Besim Abdullahu, gjithashtu e kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se Feka është për herë të parë në një procedurë penale, ka bashkëpunuar me hetuesit dhe ka pranuar veprimet e tij.
Ai theksoi se të gjitha sendet e gjetura në banesën e Fekës janë të sekuestruara, duke e bërë të pamundur çdo ndikim prej tij.
Ndërsa avokati i Arjanit Beqiri, Blerim Hertica, e quajti kërkesën e Prokurorisë të tepruar dhe të pabazuar, duke argumentuar se sendet e sekuestruara nuk e lidhin atë me veprën penale.
E pandehura Albana Xhemajli Ramadani dhe Astrit Haraqija gjithashtu e kundërshtuan kërkesën për paraburgim, me Haraqijën që theksoi se ka përmbushur gjithmonë ftesat e gjykatës dhe se lejën për armën e kishte të skaduar.
Alban Maloku kërkoi një masë alternative më të lehtë, duke premtuar se nuk do të pengojë hetimet.
Pas shqyrtimit të të gjitha argumenteve, gjyqtari vendosi që kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar.
Operacioni ‘Heshtja’ u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) pas një hetimi të gjatë.