Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu njoftoi se mandati i tij në Gjykatën Kushtetuese përfundon në muajin dhjetor.
Këtë e tha në emisionin “Debat në Shenja”, ku diskutoi edhe për lëndët që ka trajtuar si gjykatës referues, por që ende presin shqyrtim në seancë gjyqësore.
Kadriu theksoi se krahas tij, mandati i kolegut të tij Darko gjithashtu skadon në dhjetor, ndërsa pas dy muajsh mandati i gjykatësit Naser Ajdari do të përfundojë gjithashtu. “Edhe kolegu Darko, edhe unë Osman Kadriu, në dhjetor na skadon afati në Gjykatën Kushtetuese.
Pas dy muajve, edhe kandidati i tretë, gjykatësi Naser Ajdari, do të përfundojë mandatin.
Atëherë, çfarë do të ndodhë me lëndët?
Jo për ato që nuk kanë filluar procedurën, por për ato që janë përfunduar nga gjykatësi referues.
Unë si gjykatës kushtetues deri tani kam përfunduar lëndët ku kam paraqitje si gjykatës referues dhe i kam dorëzuar ato lëndë.
Ato duhet të kalojnë vetëm në seancë gjyqësore.
Një nga ato lëndë është edhe ajo për rastin e Hagës”, deklaroi Kadriu.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ka përfunduar procedurën për lëndën që lidhet me rastet e Hagës, duke e vlerësuar iniciativën e Pavle Trajanov si të pabazë. “Para pesë-gjashtë muajsh e kam përfunduar procedurën për këtë lëndë.
Kam përgatitur një raport në formë të shkruar dhe, në fund të raportit, siç është rregulli në Gjykatë, raporti përfshin edhe petitumin.
Petitumi është propozimi se cili duhet të jetë fati i iniciativës së paraqitur nga Pavle Trajanov.
Iniciativa është pa bazë.
Një rrethanë shumë e rëndësishme është arsyeja pse e kam propozuar atë përfundim.
E kam elaboruar me fakte dhe akte.
Gjykata Kushtetuese për këtë çështje ka vendosur njëherë.
Edhe në drejtësi këtë e quajmë ‘res judicata’, ose çështje e gjykuar”, përfundoi Kadriu.