Harry Bajraktari Kritikon Standardet e Dyfishta të BE-së ndaj Kosovës

Biznesmeni dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka reaguar pas fjalimit të ekspertes së politikës së jashtme, Donika Emini, në një aktivitet në zemër të Evropës.

Ai ka kritikuar Bashkimin Evropian për, siç thotë ai, zbatimin e standardeve të dyfishta ndaj Kosovës.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Bajraktari ka përgëzuar Eminin për fjalimin e saj, të cilin e ka cilësuar si të fuqishëm, duke shprehur kritika ndaj qasjes së institucioneve evropiane në raport me Kosovën.

Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian shpesh nuk i respekton vlerat demokratike që pretendon se i mbron. “Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian shumë shpesh zbaton standarde të dyfishta dhe dështon të respektojë vlerat demokratike që pretendon se i mbron,” ka shkruar Bajraktari.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe skandalit të krijuar pas interpretimit të një kënge serbe me përmbajtje që cenon sovranitetin e Kosovës në një aktivitet brenda institucioneve evropiane, Bajraktari ka theksuar se bota duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe demokratik.

Sipas tij, tolerimi i mesazheve të tilla brenda institucioneve evropiane dëshmon se Kosova nuk ka aleat më të rëndësishëm dhe më të besueshëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Bota duhet ta kuptojë, një herë e përgjithmonë, se Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe demokratik.

Skandali i fundit i tolerimit të mesazheve që cenojnë sovranitetin e Kosovës brenda institucioneve evropiane tregon se Kosova nuk ka aleat më të rëndësishëm dhe më të besueshëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Bajraktari ka përcjellë një mesazh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosovën dhe shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *