Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, gjatë vizitës së tij në Bruksel, ku po merr pjesë në forumin e dytë të Zgjerimit të Bashkimit Europian.
Gjatë këtij takimi, Metsola shprehu gatishmërinë për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Dua t’ju përgëzoj për përparimin që keni bërë në këtë proces.
Siç e dini, ky Parlament është shumë, shumë mbështetës i zgjerimit.
Prandaj është mirë që jeni këtu.
Mund të mbështeteni në përkrahjen tonë në këtë drejtim,” tha ajo.
Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij në forum, theksoi rëndësinë e vazhdimit të procesit të anëtarësimit bazuar në meritë, duke e cilësuar planin e rritjes të hartuar nga BE si një instrument të rëndësishëm për ndihmën e vendeve të rajonit në përmbushjen e standardeve evropiane.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në integrim, duke e cilësuar progresin e vendit si domethënës në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Në diskutimet në panel, Rama gjithashtu përmendi protestat në Tiranë, duke thënë se ato morën vëmendje për shkak të ndikimit të presidentit amerikan Donald Trump që qëndron pas tyre.