Reagimi i OVL-UÇK-së pas Aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëakuzuarit e tij.

Në një postim në Facebook, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë vendim si të pritshëm, por të papranueshëm, duke kritikuar qasjen e Gjykatës Speciale. “Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka qenë i pritshëm për ne, sepse tashmë e kemi kuptuar qartë qasjen dhe karakterin politik të kësaj Gjykate”, thuhet në reagimin e organizatës.

OVL-UÇK pretendon se Gjykata Speciale nuk po arrin të shkëputet nga ajo që organizata e konsideron një agjendë politike, e cila sipas tyre, e ka shoqëruar këtë institucion që nga themelimi.

Më tej, organizata shpreh bindjen se kjo qasje nuk i shërben drejtësisë së paanshme, por interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj, të cilët për vite kanë synuar të njollosin luftën çlirimtare dhe historinë e Kosovës. “UÇK-ja nuk mund të gjykohet përmes agjendave politike, ndërsa e vërteta e luftës sonë nuk mund të nëpërkëmbet me vendime gjyqësore”, përfundon reagimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *